Bamirësia ndaj nënës është një nga arsyet më të mëdha për fitimin e mëshirës së Allahut.
Ne të gjithë e dimë se çfarë lloj pozite zë nëna në fenë tonë islame. Pejgamberi (savs) na këshillon neve se nën këmbët e nënës gjendet xheneti, përkatësisht, duke i bërë mirë nënës mund të fitohet falja e mëkateve dhe hyrja në kopshtet e xhenetit, në të cilat besimtarët do të qëndrojnë përgjithmonë.
Kurani në shumë vende e përmend rëndësinë e bindjes ndaj prindërve, sidomos ndaj nënës:
“Ne e urdhëruam njeriun t’u bëjë mirë prindërve të vet, ngase nëna e vet me mundim e barti dhe me vështirësi e lindi, e bartja e tij dhe gjidhënia e tij zgjat tridhjetë muaj (e ai vazhdon të jetojë) derisa të arrijë pjekurinë e vet dhe kur t’i mbush dyzet vjet ai thotë: “Zoti im, më inspiro mua që të falënderoj për të mirën tënde që ma dhurove mua dhe prindërve të mi, që të bëj vepra të mira që i pëlqen Ti dhe m’i bën të mirë pasardhësit e mi, unë pendohem te Ti dhe unë jam me muslimanët.” (el-Ahkaf, 15)
Nga ana tjetër, mosbindja ndaj nënës është një nga mëkatet më të rënda që njeriu mund t’i kryejë, në mëkatet më shkatërruese për të cilat më së shpejti fitohet dënimi i kësaj bote, dënimi i ahiretit dhe zemërimi i Zotit.
Në këtë artikull do t’i përmendim disa rekomandime të mrekullueshme nga Dr. Salih Megamisi për rëndësinë e bamirësisë ndaj nënës si një mënyrë për lumturinë në të dy botët.
– Nëse nëna jote është ende gjallë, kushtoju asaj dhe bën gjithçka për ta bërë atë të lumtur. Betohem në Allahun, mënyra më e ndershme për t’iu afruar Allahut dhe për të arritur suksesin më të madh është t’i bëni prindërit tuaj të lumtur, e sidomos nënën. (…)
– Të bërit të lumtur nënën tuaj, është nga arsyet më të mëdha për të cilën do të arrini sukses tek Allahu.
– Të bërit të lumtur nënën është një nga gjërat e mëdha, e cila do të ndihmojë, që të shquhesh nga njerëzit e tjerë, me ndihmën e Allahut. Bëni gjëra të cilat do ta bëjnë atë të lumtur. Thirreni në telefon kur e dini se ajo do të jetë e lumtur që ta dëgjojë zërin tuaj.
– Një njeri erdhi te Ibn Abbasi (r.a.), dhe i tha atij se e kishte vrarë dikë. Ai e pyeti: ‘O kushëriri i Pejgamberit (savs), a mund të pendohem?’
Ibn Abbasi (r.a.), i tha atij: ‘A e ke nënën gjallë?’
Njeriu u përgjigj se nuk e kishte nënën gjallë.
Ibn Abbasi (r.a.), i tha: ‘O biri i vëllait tim, shtoje kërkimin e faljes dhe bëj vepra të mira’, pastaj njeriu u largua.
Ataa ibn Jesar (njëri nga studentët e Ibn Abasit) e pyeti: ‘O kushëriri i Pejgamberit (savs), pse e pyete atë, se a e ka nënën gjallë?”
Ibn Abbasi (r.a.), iu përgjigj: ‘Betohem në Allahun, se unë nuk di ndonjë vepër që mund të afrojë tek Allahu më tepër sesa sjellja e mirë ndaj nënës.’
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.