“Bëni kujdes! Zemrat qetësohen dhe kënaqen vetëm duke përmendur Allahun”

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Jemi në ditët kur përsëri kemi vënë zemrat tona në rend të ditës dhe i marrim në pëllëmbë të dorës. Në fakt, zemrat duhet t’i kemi gjithmonë në rend të ditës dhe në pëllëmbë të dorës. Çdo gjë duhet vlerësuar me agjendën e zemrës dhe duhet të kemi një dert të shenjtë, siç është përpunimi i zemrës, mbrujta dhe mbajtja gjallë e saj.

“Bëni kujdes! Zemrat qetësohen dhe kënaqen vetëm duke përmendur
Allahun.”

Kjo është një shprehje Kuranore. Të mbruash zemrën me vetëdijen e të qenit bashkë me Allahun, duke mos e harruar Atë dhe duke vendosur marrëdhënien me Allahun në shpirtin e çdo pune…

Nëse në udhëtimin e namazit nuk na shoqëron shqetësimi për “të dalë të pastër”, atëherë nuk është e mundur të shkulim dhe të flakim tutje “paturpësitë dhe të këqijat”, prej të cilave Allahu thotë se na ruan namazi. Atëherë, ai namaz s’do të kishte dobi, sepse do të ishte i zbrazur. Por, nëse e dimë se do të dalim në një instancë të lartë, atje nuk duhet të gënjejmë, sepse Ai di gjithçka në zemra.Këto ditë do të arrijmë agjërimin, në sajë të të cilit njeriu përjeton një detoks shpirtëror, duke i kufizuar trupit nevojat më të natyrshme me kriteret e vendosura nga Allahu. Detoks, është pastrim i zemrës prej papastërtive të akumuluara dhe barrëve që ajo s’mund t’i mbajë.

Në të vërtetë, agjërimi është për zemrën, dhe, nëse ajo nuk agjëron, nuk agjërojnë as sytë, as veshët dhe as gjuhët, gjë që lind rrezikun e shndërrimit të agjërimit thjesht në një uri padobi, të cilën i Dërguari i Allahut e ka paralajmëruar që në fillim. Agjërimi erdhi e iku, dhe nuk ndikoi fare tek ne, nuk na përmirësoi dhe nuk na i fashoi plagët…

Ne mbetëm në gjendjen tonë të plogësht, ndërkohë që goja jonë ka agjëruar, e zemra jonë ka ngrënë vazhdimisht… Ku është agjërimi?! Nëse zemra agjëron, agjërimi na merr e na çon në Xhenet. Prandaj kemi nevojë për agjërime që na nxjerrin në udhëtimin drejt Xhenetit. Për këtë arsye, në çdo kohë iftari, duhet t’i marrim zemrat tonë në dorë dhe të shohim çfarë ka e nuk ka aty. Natën e Kadrit, në mëngjesin e saj dhe të Bajramit, duhet të arrijmë të kemi zemra të gjalla dhe të pastra, aq sa të mund t’ia ofrojmë Allahut.Zekati është kalibrimi që i bëhet besimtarit në çështjen e dashurisë ndaj pasurisë. “Edhe pasuria, edhe jeta janë dhunti të Allahut. Mos e harro këtë! Prandaj, edhe kur ta fitosh, edhe kur ta shpenzosh, duhet të marrësh për bazë kriteret e Allahut. Për të mbajtur pastër pasurinë, kërkohet një disiplinë zemre. Brenda pasurisë nuk duhet të mbetet asnjë grimë prej të drejtës së të varfrit, sepse ajo që e përlyen më së shumti pasurinë, është e drejta e të varfrit që nuk është dhënë prej saj.” A mund të realizohen këto që përmendëm pa u edukuar zemra? Nëse i shkakton dhimbje me gjuhë shpirtit të cilit i ke dhënë me dorë, atëherë ku është zemra? Nëse tjetrit i jep atë që nuk do ta pranoje as vet po të të jepej, ku është zemra? Nëse përjeton ndjenja arrogance kur je i pasur, ku është vetëdija për “ato që Allahu ka dhënë si furnizim”? Është një ditë, kur pasuria dhe fëmijët nuk do të bëjnë dobi. Këtë, e thotë Kurani… Agjërimi po troket në derë!.. Zëre se erdhi… Për një ripërpunim zemre.

Allahu mos na e largoftë zemrën prej aktualitetit tonë dhe na e bëftë të mundur që Bajramin ta jetojmë me gëzime të zemrës!

Përgaditi dhe përshtati: Kushtrim Guraj

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-