Çdo fe e ka moralin e vet, ndërsa morali i Islamit është turpi

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Sikur
turpi të mos kishte asnjë vlerë tjetër përveç faktit se ai është një nga
karakteristikat e Allahut, do të ishte arsye e mjaftueshme që besimtarët të
përpiqen që në veten e tyre ta ndërtojnë këtë veti. Allahu i Madhërishëm i mbulon
të metat dhe turpërohet nga njerëzit, ndërsa qenia arrogante njerëzore nuk i turpërohet
Allahut, përveç atyre që i mëshiron Allahu. Mëshira e Tij vazhdimisht lëshohet mbi
ne, ndërsa mëkatet tona vazhdimisht ngritën tek Ai, Ai na tregon neve dashurinë
e Tij duke na dhënë begati të panumërta, edhe pse është i pavarur nga të gjitha
botët, ndërsa ne me mëkatet tona e provokojmë zemërimin e Tij, edhe pse jemi të
varur nga Allahu dhe mëshira e Tij në çdo çast. Por edhe kështu, kur ia
drejtojmë lutjet tona me përulje, Ai na i fal mëkatet tona dhe gëzohet për
pendimin tonë.

Prandaj,
le ta kujtojmë gjithmonë hadithin madhështor në të cilin Pejgamberi (savs) thotë:

“Me të
vërtetë, Zoti juaj është i turpshëm dhe fisnik. Ai turpërohet që t’ia kthejë duart
bosh kushdo që i lutet sinqerisht dhe i drejtohet me dua.”
(Ebu
Davudi dhe Tirmidhiu)

Ibn
Kajjimi ka thënë: “Kush stoliset me cilësinë të cilën e posedon Allahu i
Madhërishëm, ajo cilësi do ta marrë dhe do ta afrojë tek Allahu dhe mirësia e
Tij.”

Transmetohet
nga Enesi (r.a.) se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Çdo fe e ka moralin e vet, ndërsa
morali i Islamit është turpi.”
(Ibn Maxhe)

Abdullah
ibn Omeri (r.a.), e kishte zakon të thotë: “Njeriu nuk do ta plotësojë
besimin e tij derisa të jetë plotësisht i vetëdijshëm se Allahu e shikon, andaj
mos të veprojë në fshehtësi atë që në Ditën e Gjykimit mund ta turpërojë para
të gjithë njerëzve.”

O njeri, ki
kujdes të mos jesh prej atyre që, kur janë vetëm, i shkelin ndalesat e Allahut,
të cilët në publik bëhen ‘evlija’ të Allahut, ndërsa në fshehtësi armiq të Tij.
Mos u bën prej atyre të cilët më shumë turpërohen nga njerëzit se sa nga Allahu,
dhe mos shiko në parëndësinë e mëkateve tua, por shiko në madhësinë dhe
plotfuqishmërisë së Atij, i Cili të shikon derisa je duke bërë mëkat. Dhe kurrë
mos e harro momentin, i cili do të vijë me siguri, të cilin Pejgamberi (savs) e
ka paralajmëruar në hadithin e tij, duke thënë: “Çdo njeri individualisht do
të bisedojë me Allahun në Ditën e Gjykimit, dhe në mes tyre nuk do të ketë
ndërmjetës.”

Komandanti
i famshëm ushtarak musliman i kohës së Dinastisë emevite El-Xherrah ka thënë: “Dyzet
vjet jam larguar nga mëkatet, dhe vetëm atëherë e kam arritur devotshmërinë në
fjalë dhe në vepra.”

Dijetari i
njohur islam Ibn Dekik el-‘Id, ka thënë: “Pasha Allahun, 40 vjet kanë kaluar
qysh se unë nuk e kam bërë asnjë punë, as nuk e kam folur asnjë fjalë të vetme,
e që për të nuk e kam përgatitur përgjigjen para Allahut në Ditën e
Ringjalljes.”

Ky është
niveli i atyre që turpërohen nga Allahu, dhe të cilët janë të vetëdijshëm se
Allahu gjithmonë i sheh. Shembulli i tyre është si shembulli i një gruaje, të
cilën një njeri i prishur ishte përpjekur ta detyronte në imoralitet, ndërsa
ajo i kishte thënë: “Dil dhe kontrollo mos po na sheh dikush!” Ai del,
shikon dhe pasi kthehet, i thotë: “Nuk po na sheh askush përveç yjeve.” Atëherë
ajo i thotë: “Po ku është Krijuesi i yjeve?”

Ose, si
shembulli i një besimtareje e cila me një karvan udhëtonte për në haxh dhe asaj
papritmas, gjatë natës, në tendë i futet një mashkull i huaj dhe i thotë: “Unë
nuk kam ardhur së bashku në këtë udhëtim për shkak të haxhit, por vetëm për të
gjetur mundësinë, të vetmohem me ty dhe të bëj imoralitet.”
Ajo i tha atij:
“Verifiko a kanë fjetur të gjithë njerëzit!” Ai doli shikoi, dhe kur u
kthye me gëzim bërtiti: “Të gjithë janë në gjumë!” Pastaj ajo i tha: “Kurse
tash verifiko a po flenë Allahu!”
Pastaj ajo bërtiti gati sa i ra të fikët
nga vaji i fuqishëm, ndërsa ai njeriu i prishur iku nga tenda e saj.

Autor: Sheikh Muhammad Nasiruddin El-Uweyd


Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-