Çka është dhe kush është babai?

Opoja.net Opoja.net Artikuj

(Përgjigjja e cila të gjithë i ka lënë pa tekst)

Kush është babai?

Kjo ka qenë pyetja që i është bërë një grupi të studentëve për master në një universitet. Shumica e studentëve për master kanë dhënë përgjigje të zakonshme, me përjashtim të njërit.

Vetëm një përgjigje për pyetjen: Çka është dhe kush është babai – e kishte impresionuar profesorin dhe ia kishte qitur lotët në sytë e tij.

Ja përgjigjja e tij.

«Babai – në fëmijërinë e hershme i veshësh këpucët e tij dhe e kupton sa të mëdha janë këpucët e tij dhe sa të vogla janë këmbët e tua.

I vendos syzet e tij në sytë e tu dhe ndjen një madhësi dhe krenari të veçantë.

E veshësh mantelin e tij dhe e ndjen një respekt dhe dinjitet.

Të bie ndër mend ndonjë marri dhe kërkon prej tij që të ta sjellë apo të ta blejë, dhe ai e bën këtë me gëzim të madh duke u kujdesur që ta sjellë pa kërkuar të falënderim.

Kthehet në shtëpi nga puna me buzëqeshje dhe të shtrëngon për gjoksin e tij, kurse ti nuk e din sesi e ka kaluar ditën dhe sa shumë vështirësi e probleme ka pasur atë ditë ….

Sot, kur je rritur, nuk i veshësh këpucët e tij, sepse janë të vjetra dhe nuk të pëlqejnë.

I përbuzësh rrobat e tij të vjetra dhe gjërat e vjetra, sepse ato nuk janë sipas shijes tënde.

Çdo fjalë të tij drejtuar ty e përjeton si qortim, kurse pyetjet e tij për gjendjen tënde dhe jetën tënde i përjeton si ndërhyrje në punët tua, andaj kjo të pengon.

Lëvizja e tij nëpër shtëpi të shkakton siklet, ndërsa nga të folurit e tij ndjen neveri.

Kur ti vonohesh, ai brengoset për ty, pastaj kur të kthehesh të kritikon, mirëpo, ti për këtë ndjehesh i shqetësuar dhe ke dëshirë që ai mos të jetë me ty, që të jesh më i lirë.

Ti e ngre zërin ndaj tij dhe i shkakton dhimbje me përgjigjet tua, kurse ai hesht, jo nga frika, por nga dashuria dhe gatishmëria për të toleruar dhe për ta falë ty çdo gabim.

Ti deri dje ke belbëzuar duke folur dhe ke gabuar në shqiptimin e shkronjave, ndërsa ai gabimet tua i ka pranuar me buzëqeshje dhe gëzim.
Ndërkaq, ti sot po zemërohesh dhe bezdisesh për shkak të pyetjeve të tij të shumta, pasi që për shkak të moshës, i janë dobësuar edhe dëgjimi edhe shikimi.

Babai yt kurrë ty nuk ta ka dëshiruar vdekjen, as kur ishe i vogël, as kur u rrite, ndërsa ti e shpreson vdekjen e tij sa më parë, sepse të është bërë pengesë ty dhe atyre përreth teje.

Babai yt është kujdesur për ty kur ishe i vogël, edhe kur u rrite, edhe gjatë shkollimit, është kujdesur për ty edhe kur ishe në vështirësi edhe në lehtësi, në çdo gjendje, andaj ktheja me bamirësi të paktën në pleqërinë e tij dhe në sëmundje!»

Pershtati: Miftar Ajdini

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-