Çka është dynjaja në krahasim me Ahiretin?

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Në një rast Pejgamberi (savs), ua mbajti një
fjalim shokëve të tij, dhe kur dielli ishte gati për të perënduar, pothuajse
ishte duke dalë nga horizonti, Pejgamberi (savs), tha:

“Nga kjo dynja nuk ka mbetur më shumë se sa që
ka mbetur nga kjo dita juaj e cila po mbaron.”
(Pjesë e një hadithi të gjatë, të cilin e shënojnë, ndër të tjerët Tirmidhiu
dhe imam Ahmedi, kurse Tirmidhiu dhe Ibn Haxheri e konsiderojnë hasen, të
mirë).

Çdo njeri që ka arsye, që ia dëshiron të mirën
vetvetes, duhet të mendojë mirë rreth këtij hadithi, duhet ta pyes veten se çka
mund të fitojë nga kjo kohë e mbetur e dynjasë.

Duhet ta dijë njeriu se vetëm është duke ecur
dhe ëndërruar, dhe se lumturinë e përjetshme dhe begatitë e përhershme i ka
dhënë për gjëra që nuk kanë vlerë.

Ndërkaq, nëse do ta kërkonte Allahun dhe botën
tjetër, Allahu, me siguri, do t’ia dhuronte edhe dynjanë me të gjitha bukuritë
dhe plotësimet, siç thuhet në disa transmetime: “O biri i Ademit, shite
dynjanë për ahiretin, dhe do t’i fitosh të dyjat, por mos e shit ahiretin për
dynjanë, se do t’i humbasësh të dyjat.”
(Ebu Nu’ajm këto fjalë i transmeton nga Hasan
el-Basriu)

Dikush nga brezi i parë ka thënë: ‘O biri
i Ademit, ti ke nevojë për hisen tënde në dynja, por ke edhe më shumë nevojë
për hisen tënde në ahiret. Nëse fillon me hisen tënde të dynjasë, do ta
shkatërrosh hisen tënde të ahiretit, por edhe ajo e dynjasë do të jetë në
rrezik, ndërsa nëse së pari fillon me hisen tënde të ahiretit, do të kesh
sukses edhe në njërën edhe në tjetrën.’

Omer b. Abdulazizi në një fjalim të tij ka
thënë: ‘O njerëz, ju nuk jeni krijuar pa qëllim dhe nuk jeni lënë në
dëshirën tuaj. Ju e keni ditën e kthimit, në të cilën Allahu do t’ju tubojë për
t’ju gjykuar dhe për t’ju ndarë juve. I palumtur dhe i dështuar është çdo njëri,
të cilin Allahu e ka nxjerrë nga mëshira e Tij, që i përfshin të gjithë, të cilit
ia mohon xhenetin, që është sa qiejt dhe Toka. Siguria dhe e ardhmja është e
garantuar për atë, i cili sot ka frikë nga Allahu dhe e ka Atë në mendje, për
atë që ka dhënë pak për shumë, të përkohshëm për të përjetshmen, fatkeqësinë
për lumturinë. A nuk po e shihni se jeni në kolonën e të vdekurve, pas jush mbeten
të gjallët. A nuk po shihni se çdo ditë, mëngjes e mbrëmje, ju po i varrosni
ata që po kthehen tek Allahu! Shpresa e tyre është ndërprerë, ju po i lëshoni
në brendinë e tokës, pa dyshek dhe pa jastëk, pa asgjë, i kanë lënë të dashurit
kurse po i pret llogaridhënia.’

Ibn Kajjim el-Xhevzijj;
„El-Vabil es-sajjib

Përkthim: Miftar
Ajdini

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-