Duart e djalit të vogël

Opoja.net Opoja.net Artikuj

“Kjo është nga i ftohti”, tha nëna, ndërsa thellë në vetvete e dinte se gjendja do t’i keqësohet nëse nuk gjen ilaç.

“Nënë, nënë, a po shkojmë nesër t’i blejmë ato lodrat dhe çantën e shpinës që i pashë?”
“Do të shohim, biri im”, i tha nëna në heshtje, derisa në dorë i mbante tespihet dhe me gisht i tërhiqte kokrrat një nga një.

Kurse rrudhat në duart e saj tregonin për rrugën e saj të jetës. I lëshoi tespihet dhe i ngriti duart lartë kah qielli. Derisa me gjysmë zëri i shprehte dëshirat e saj, e kaploi një ajër i ftohtë. Nëpër fytyrën e saj rrodhën lotët. A ishin këto lotët e devotshmërisë? Lotët e shpresës? Apo reflektim i vuajtjeve nëpër të cilat po kalonte?

Nëna e dinte se nuk mund t’ia blinte djalit çantën dhe lodrat. Por nuk dinte si t’ia bënte më tutje… Po sikur të mos e gjente ilaçin për sëmundjen që po vuante?

“Amin…”, u dëgjua vetëm kur nëna lau fytyrën me duart e saj.

“Omer, biri im, bëhu gati, sonte do të shkojmë në xhami.”

“Po pse pikërisht sonte oj nënë? Tani do të fillojë loja dhe do të luajë lojtari im i preferuar. A e di sa i shpejt është ai.”

“O Omer, lojë do të ketë edhe nesër, kurse sonte është një natë e veçantë. Nata e dëshirave, nata e shpresës, nata e mëshirës dhe faljes së Allahut.”

“Është ftohtë oj nënë, a po sheh, edhe borë po bie.”

“E shoh, o Omer, por nën mbrojtjen e Allahut kurrë nuk ftohtë.”

“Mirë nënë, do të shkojmë. A mundem unë sonte të dëshiroj gjithçka që dua?

“Po, mundesh, djali im. Uro sinqerisht gjithçka që ke dëshirë. Për Allahun asgjë nuk është e vështirë që ta jepe.”

Kur e dëgjoi këtë, Omeri i vogël shpejt u bë gati.
“Ah fëmijët dhe dëshirat e tyre për lodra”, murmuriti nëna duke qeshur.

Bora po binte gjithnjë e më shumë. Jashtë ishte qetësi. Nata pikërisht çfarë duhet të jetë, për një bisedë të përulur me Zotin.

Dhe Omeri dhe nëna e tij u nisën për në xhami. Rrugës i takonin ata që shkonin në të njëjtin destinacion.

“Shiko nënë, shumë njerëz po vijnë me ne. A kanë të gjithë ata ndonjë dëshirë?”
“Po, ashtu është, Omer, të gjithë kanë ndonjë dëshirë.”
“Por si do të realizohen të gjitha ato dëshira? A nuk janë shumë?” Pyeti me habi Omeri i vogël.
“O Omer, në mëshirën e Allahut ka vend për të gjithë.”
Bisedën e Omerit me nënën e tij e ndërpreu kollitja e saj.
“Nënë, përsëri ti nuk je mirë”, tha Omeri i frikësuar.
“Unë jam mirë, mos u brengos”, i tha nëna, duke e ledhatuar me butësi Omerin e saj.
“Kjo është nga i ftohti”, tha nëna, ndërsa thellë në vetvete e dinte se gjendja do t’i keqësohet nëse nuk gjen ilaç.

Në largësi, u dëgjua ezani për namaz të jacisë.

“Nxito Omer, që të mos vonohemi.”

Së shpejti arritën në xhami. I gjithë haremi i xhamisë frymonte në paqe dhe ngrohtësi, pavarësisht nga i ftohti dhe bora që ishin jashtë.

Ata ngadalë hynë në xhami. I zunë vendet e tyre dhe u falen me përkushtim.
Pas namazit, në xhami kishin ngelur ata që donin edhe më shumë kohë të kalonin në ibadet.
Nëna i ngriti duart lart kah qielli, edhe Omeri me të. Ashtu edhe të gjithë njerëzit që ishin aty. Mijëra shpirtra. Dhe po aq shumë lutje dhe shpresa.

“Zoti im, më jep forcë që të eci rrugëve të cilat unë nuk mund t’i ndryshoj. Të eci me guxim nëpër ankth deri te qëllimi më i bukur … te mëshira Jote. Dhe ma ruaj Omerin, atëherë kur shpirti im të vjen te Ti”, lutej nëna me zë të ultë.

Edhe Omeri po thoshte diçka. Dhe herë pas here, e shikonte nënën e tij.

“Amin…”, shqiptoi Omeri me zërin e tij të butë.

Pasi e kryen lutjen, ngadalë, Omeri dhe nëna e tij dolën nga xhamia. Nëna ishte me lot në sy, sepse e dinte që ky mund të ishte viti i saj i fundit që me Omerin e saj po vinte në xhami. Por edhe e lumtur, sepse këtë herë megjithatë, ia arriti të vinte.

Duke shkuar nëpër borë e cila kërciste nën këmbët e tyre, nëna pyeti: “A do të më thuash, çka the kur i ngrite duart në lutje? Çka dëshirove? Ndoshta që të mund ta blesh ndonjë lodër?”
“Nënë, nënë… çka më duhen lodrat nëse nuk mund të luaj me ty. Kam dëshiruar që të shërohesh ti, nënë! Që edhe vitin e ardhshëm të vijmë së bashku në xhami”, tha Omeri.

Nëna e shtrëngoi fort dorën e Omerit dhe e futi në xhepin e xhaketës, që mos të ftohen ato duart e vogla.
“Dëshirë e madhe është kjo, Omeri im.”

“Po nënë, por edhe ti vetë më the sonte: “Për Allahun asgjë nuk është e vështirë që ta jepe.”
Dhe ndërsa po shkonin në shtëpi, ende atje në largësi shiheshin dritat e minareve…
*****

Nesër në mëngjes, gjumin e tyre e ndërpreu zilja në derën e hyrjes. Omeri i vogël e hapi derën.
“Jo, zotëri, keni gabuar. Ai nuk banon këtu”, i tha Omeri zotëriut i cili e kërkoi dikën në adresën e tyre.
Bisedën e tyre e ndërpreu kollitja e nënës.
“Unë duhet të shkoj, nëna nuk është mirë”, tha Omeri.
Zotëriu i panjohur e pyeti me kureshtje nëse mund të hynte në shtëpi. Ai hyri dhe e dëgjoi nënën e tij, e cila i tregoi për shëndetin e saj dhe ilaçin që i nevojitej.
Zotëriu u ngrit shpejt dhe u nis kah dera.
*** *** ***

Pas 7 dite ….
*** *** ***
Dhe derisa nga të gjitha anët dëgjoheshin britmat, Omeri po mblidhte lulet e para të marsit dhe po këndonte diçka.

“O Omer, ku po shkon me ato lule”, e pyeti fqinji.
“Sot nëna ime del nga spitali. A e dini, është shëruar, e ka gjetur ilaçin”, tha Omeri, duke kërcyer nga njëra këmbë në tjetrën, duke i mbajtur fortë në dorë lulet të cilat i mblodhi vetëm për nënën e tij.
“Nënë!”, bërtiti Omeri dhe përqafoi me forcë nënën e tij kur ajo u shfaq në derën e spitalit.
*** *** ***
Pas disa vitesh ….
*** *** ***
Omeri tash më nuk është djalë i vogël, është bërë burrë.

“Zotëri Omer, po ju presin juve. A keni zgjidhje për këtë problem? Ku po shkoni?”

“Do të kthehem së shpejti”, tha Omeri dhe shkoi për ta falur namazin. Duke e lëshuar kokën në sexhde edhe njëherë tha: “O Zoti im, të falënderoj që ende është gjallë.” Dhe kështu çdo ditë Omeri e falënderonte Zotin për shërimin e nënës së tij.

Duke u kthye tek kolegët e tij, duke e prekur në shpatulla tha: “Mos u brengosni: Për Allahun asgjë nuk është e vështirë që ta jepe.”

Lejla Omerçiq; Akos.ba;

Përktheu: Miftar Ajdini

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-