Erita Qafleshi pianistja nga Bellobradi i Opojës

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Opoja Personazhe

Ajo thotë se nuk është se ka pasur shumë qejf të merrej me muzikën, kur ishte e vogël, por e shtyrë nga prindërit, të dy muzikantë me profesion, nisi rrugën e pianos. Erita Qafleshi, nxënëse e vullnetit të mirë, pasi kreu shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova”, vazhdon studimet në Fakultetin e Artit dhe të Pianos në Universitetin e Prishtinës. 

Pianistja 21-vjeçare nga Bellobradi i Opojës e cila jeton në Prishtinë, e cila ishte pjesë e festivalit në Lituani, kishte luajtur një sonatë nga Beethoven, dhe pjesë nga Aram Khachaturia e shekullit XX, me këto vepra ajo arriti të transmetojë te publiku, ndjesinë dhe emocionin e një artisteje të re nga një shtet i ri.

Për Eritën kjo është hera e parë që është pjesë e këtyre garave, gjë kjo, që e bën të ndihet mjaft e emocionuar dhe njëherësh e obliguar që ta prezantojë në mënyrën më të mirë shtetin e Kosovës.

“Pjesëmarrja në gara është shumë e veçantë, duke marrë parasysh që është hera e parë që marr pjesë në një vend si Lituania, jam pjesëmarrësja e parë nga Kosova, duke e ditur që Kosova si një shtet i ri ka nevojë për prezantim dhe përfaqësim sa më të mirë”, tha Erita, duke shtuar se ndjehet e përgatitur që të arrijë një sukses të lartë në këto gara.

Por për të arritur këtë sukses, Eritës i duhet të qëndrojë pranë pianos jo më pak se tetë orë në ditë, duke ushtruar, në mënyrë që në paraqitjet e saj të japë emocion dhe tani piano i është bërë pjesë e jetës, nëpërmjet së cilës ajo thotë se shpreh emocion, ndjenjë dhe dashuri.

Që nga viti i tretë tregon se mban mësim te profesoresha Pranvera Hoxha. Gjatë kësaj kohe ajo ka marrë pjesë në disa gara në nivel vendor dhe rajonal, në të cilat është shpërblyer me çmime të ndryshme. Që nga viti 2004 ka fituar gjithsej tetë çmime në festivalin e muzikës klasike “ARS Kosova”, dhe një varg shpërblime të tjera në festivale rajonale.

“Në Shqipëri jam shpërblyer me çmime të ndryshme si çmimi i parë, i dytë, po ashtu kam qenë dy herë fituese e çmimit absolut me 100 pikë te “Pianisti i ri” në vitin 2011, e kam fituar po ashtu edhe “Pianistja e vitit”, kurse në vitin 2013 kam fituar çmimin për pjesëmarrje në garat e pianistëve të rinj në Lituani”, u shpreh ajo.
Edicioni i dytë i garave ndërkombëtare për pianistët e rinj do të jetë i ndarë në kategori, të cilat do të shkojnë sipas moshës, sa më e madhe të jetë mosha, programi do të jetë më i avancuar. Erita në këtë festival bën pjesë në kategorinë E që njëherësh është më e larta. Atje ajo do të paraqitet me vepra nga kompozitorë të njohur si Beethoven, Aram Khachaturia dhe pjesë nga kompozitorë lituanë.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-