Hutbeja e fundit e Ramazanit

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Falënderimet janë për
Allahun e Madhërishëm – Zotin tonë të Cilin e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë
dhe falje kërkojmë.

Atë njeri të cilin e
drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, atë njeri që humbët rrugën dhe
veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë.

Dëshmojmë dhe
vërtetojmë se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç
Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe është i pa shoq.

Dëshmojmë dhe vërtetojmë
se Muhamedi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin gjithmonë me të, është rob i
Allahut dhe është i Dërguari i Tij i fundit.

Të nderuar vëllezër
besimtarë;

Jemi në ditën më të
mirë të javës, në ditën e xhuma, në muajin më të mirë të vitit, në muajin e
bekuar ramazan, e xhumaja e fundit e muajit ramazan. E lus Allahun e
Madhërishëm bashkë me ju që Allahu të na përfshijë në mëshirën e Tij. Paqja dhe
mëshira e Allahut qofshin mbi ne, mbi familjet tona dhe mbi gjithë njerëzit që
e duan begatinë dhe paqen e Allahut.

Sot po e përcjellim
xhumanë e fundit muajit të bekuar ramazan. Në këtë ditë më të vlefshme të
muajit më të vlefshëm, jemi duke i ndjekur begatitë, të cilat janë renditur të
marrim thelbin e tyre, i cili do të jetë udhëzues deri në ramazanin e ardhshëm.
Në këtë muaj të bekuar, ne kemi mësuar se ramazani është i njëjtë për të
gjithë, ju vjen të gjithë besimtarëve si mundësi. Ramazani është ‘mundësi’
e besimtarëve për të gjithë. Me solidaritet, me mirësi, me falje, me bujari …
ne duhet të vazhdojnë të jetojnë edhe pas tij. Shprehia e ramazanit për unitet
dhe barazi para Allahut, ndoshta është mësimi më i madh që duhet ta marrim me
vete edhe pas bajramit.

Allahu i Plotfuqishëm
në Librin e tij të urtë thotë:

“E ata që ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre, sillen
në grupe te xheneti, e kur arrijnë aty, dyert e tij i gjejnë të hapura dhe roja
e tij u thotë atyre: “Selamun alejkum” – qofshi të shpëtuar, ishit të pastër,
andaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë.”
(ez-Zumer, 73)

Ne do ta pyesim veten: “A
do të jenë ato grupe të rreshtuara?”
Në këtë botë ne jemi mësuar, që
kur të hyjmë diku, të bëhemi rresht, njëri pas tjetrit. Ata që do të hyjnë në xhenet,
nuk do të hyjnë në rreshta, por me grupe, do të thotë, siç na konfirmon hadithi,
në saffa.

Në një hadith autentik,
të shënuar nga imam Taberani dhe Hakimi, Muhamedi a.s. ka thënë:  “Banorët e xhenetit do të jenë 120 000, ju (Umeti i
Muhamedit) do të jeni në 80 saffa.”

Të dashur vëllezër,

Në xhenet do të hyhet në
saffa, ashtu siç jemi renditur në namaz. Nëse në xhenet do të hyhet në saffa, a
do të kemi arsye të shpresojmë se do të hyjmë në xhenet, në qoftë se ne në këtë
botë nuk kemi qenë në saffa?

Sikur që po angazhohemi
për nafilet në ramazan, ne duhet të angazhohemi edhe për farzet jashtë tij. Shumë
dijetarë muslimanë kanë paralajmëruar: “Gjëja më e çmendur është nëse ti
pret që Allahu do t’i pranojë nafilet nëse nuk i ke kryer farzet.”

Pejgamberi ynë fisnik,
paqja dhe bekimi qoftë mbi të, duke shkuar nga kjo botë na ka drejtuar këtë
këshillë të fundit: “Namazin, namazin!”  Na ka porositur të kujdesemi për namazin tonë,
shtyllën e fesë sonë. Po këtë këshillë të fundit të Pejgamberit a.s., ta marrim
si këshillë lamtumirëse, me të cilën do të ndahemi nga miku ynë më i dashur që
na e dërgoi Allahu i Madhërishëm, muaji ramazan. ‘Të kujdesemi për namazin
tonë’!

Le ta shikojmë jetën
tonë, nga fillimi deri në vdekje: Kur neve, si foshnje të porsalindur, na e
vejnë emrin duke na e kënduar ezanin dhe ikametin, na kthejnë në drejtim të Kiblës;
kur vdesim, anën e djathtë të trupit tonë të vdekur, na e kthejnë kah Kibla; në
varr na lëshojnë me anë të djathtë, të kthyer kah Kibla. E gjithë kjo na tregon
se si muslimanë, fati ynë është Kibla. Prandaj, le të vazhdojmë në të gjitha
llojet e të mirave mbi të cilat na ka mësuar ramazani i bekuar. Ta arsyetojmë
vazhdimësinë e qëndrimit tonë në safa, me dëshirën që në saffa të hyjmë në xhenet.

Duke pasur parasysh se
po i përcjellim ditët e fundit të muajit të agjërimit, mos të harrojmë, se agjërimi
ynë mbetët i vjerrur mes qiellit e tokës, dhe se, nëse e pastrojmë me
sadekatul-fitrin do të ndahet nga Toka dhe do të pranohet nga Allahu i
Madhërishëm!

Kryesia e BI të Kosovës edhe sivjet, mjetet nga
sadekatul-fitri do t’i orientojë për mbajtjen e institucioneve arsimore;
medresetë dhe FSI.

O Zot, na forco në rrugën
Tënde!

O Allah, na ndihmo
neve dhe ndihmoji vëllezërit dhe motrat tona muslimanë në vende të ndryshme të
botës, që janë duke vuajtur dhe kanë nevojë për ndihmën Tënde!

O Allah, na i falë
mëkatet tona dhe na e prano pendimin tonë!

O Allah, na bën neve
prej atyre që i edukojnë fëmijët e tyre në përputhje me dispozitat Tuaja!

O Zot, na i pastro
zemrat nga mendimet e këqija dhe gjuhët nga fjalët e shëmtuara!

O Allah, na i mëshiro
prindërit tanë, udhëzoji fëmijët dhe pasardhësit tanë!

O Mëshiruesi më i
madh, na ndero me xhenet në shoqëri të pejgamberëve, të sinqertëve, të
shehidëve dhe të njerëzve të mirë! Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-