Kosova ngec në legalizimin e armëve, i referohet shifrave të 2015-s

Opoja.net Opoja.net Kosova

Kosova ka ngecur në legalizimin e armëve. Në mars të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme pati filluar vlerësimin e ligjit, por ende nuk dihet se deri ku ka shkuar ky proces sa u takon politikave të reja të legalizimit të armëve. Nga viti 2015 nuk ka pasur hulumtim të ri mbi numrin e armëve ilegale që janë në shtetin e Kosovës, por bazuar në ato të dhëna, në vendin tonë janë rreth 250 mijë armë ilegale në duart e qytetarëve.

Draftimi i ndryshimeve ligjore për armët dhe masat ndëshkimore kanë bërë që një fushatë e nisur në vitin 2019 për legalizimin e armëve pa leje në Kosovë të mos japë rezultatet e pritura.

Në mars të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme i pati thënë RTK-së se ka filluar vlerësimi i ligjit që ka përfshirë një grup të përbërë nga institucionet relevante.

Ky grup do të dilte me politikat e reja të hartimit dhe legalizimit. Por, nuk dihet se deri ku ka shkuar ky proces. Në Ministri nuk iu përgjigjën pyetjeve të RTK-së për këtë çështje.

Nga viti 2015 nuk ka pasur hulumtim të ri mbi numrin e  armeve ilegale që janë në shtetin e Kosovës. Bazuar në ato të dhëna, në vendin tonë janë  250 mijë armë ilegale në duart e qytetarëve, të cilat janë shqetësim i madh për institucionet e vendit.  Ndërkohë rreth 1 mijë e 500 prej tyre konfiskohen çdo vit nga Policia e Kosovës.

Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi, mendon se qytetarët nuk janë inkurajuar nga institucionet përkatëse që të legalizojnë armët.

“Kem hile edhe na, institucionet vendore na kanë përkrah, nuk duhet me mohu atë, por vet legalizimi ka shkuar në mënyrë palidhje, pa një konsultë të duhur, pa një qasje të gjerë me qytetarët dhe sistem të shpërblim për qytetarët, siç ka  ndodhë në vende të rajonit, ose vendet e ish- Jugosllavisë, pas luftërave të përgjakshme”, tha ai.

E krejt këta armëmbajtës pa leje, për Ibishin marrin dënime tepër të ulëta për këtë vepër penale.

“Kur flasim për pasojat, ajo janë minimale në kuptim me veprat, që janë gjegjësisht në nenet e kodit penal për armëmbajtje pa leje, ngase çdo herë ata dënohen me dënim minimal, dhe kjo i bënë të kenë guxim, që lirshëm ta përdorin armen, ta mbajnë me vete, dhe rreziku I përgjithshëm është I madh për të gjithë qytetarët”, ka deklaruar Ibishi për RTK.

Dënimi për armëmbajtje pa leje përcaktohet sipas Kodit Penal të Kosovës, ku parashihet gjobë deri në 7500 euro. Veç tjerash, parashihet edhe dënimi me burg deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje. Bazuar në Kodin Penal, parashihet edhe dënim dy deri në dhjetë vjet burgim për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve ose më shumë se 400 fishekëve.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-