Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me kabinetin qeveritar ka nisur ditën e dytë të punës në krye të Qeverisë duke bërë homazhe në Prekaz.
Kurti nga Prekazi ka thënë se ka shkuar me kabinetin që ai udhëheq në vendin e flijimit dhe të bashkimit, ku është bërë edhe ngritja heroike e kombit shqiptar.
“Dje pranuam detyrën si Qeveri e re që u votua në Kuvendin e Kosovës të hënën mbrëma. Sot në ditën e parë të punës me zëvendëskryeministrat dhe ministrat erdhëm herët në mëngjes në Prekaz në këtë vend të flijimit dhe të bashkimit, ku tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe, mirëpo, rënia e tyre heroike e ngriti në këmbë popullin shqiptar, i dha hov ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare që më 24 mars dërgoi aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit kundër një shteti gjeneciodal siç ishte Serbia e Millosheviqit”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar tutje se drejtësia ende nuk është vënë në vend për familjen Jashari e për shumë familje tjera.
“I kujtojmë me shumë dhëmbie e mall, Shaban, Hamëz e Adem Jasharin e të gjithë pjesëtarët e kësaj familje, gjysma e të cilëve ishin gra e fëmijëve, drejtësia nuk është vënë në vend ashtu si për shumë dëshmorë e martir të tjerë. Gjaku i tyre nuk humbet kurrë, emri i tyre nuk harrohet kurrë, ne kthehemi në Prekaz për të kuptuar nga vijmë e për të ditur se nga duhet të shkojmë”, ka thënë Kurti.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.