Magjija e Fjalës

Opoja.net Opoja.net Opinione

Shkruan: Mirsad Kuteli

Njerëzit kanë predispozita dhe preferojnë të socializohen më ata që kanë afinitet, si në qëndrime, vlerësime, opinione e konkluzione.

Nganjëherë ndodh që dikush të na thotë një fjalë të keqe në mëngjes, për pasojë, e tërë ajo ditë do të na duket monotone. Ndërkaq, nga ana tjetër, mjafton vetëm një komplimet për të na “rregulluar” ditën ose për të na gëzuar.

Të folurit është mjet komunikimi ndërmjet njerëzve. Andaj, fjala është njësi substanciale, me anën e së cilës shprehim mendimin dhe qëllimin tonë.

Njerëzit shpeshherë kanë nevojë, madje vetëm për një fjalë të vetme, si në çaste gëzimi, po ashtu edhe në momente hidhërimi. Mirëpo, nga natyra, Zoti e krijoi njeriun që të jetojë në shoqërinë apo familjen e gjerë të njerëzimit, ku shumica e gjërave janë reciproke dhe në varshmëri me njëra tjetrën. Në këtë aspekt, çdo individ, patjetër se në një moment të caktuar ka nevojë për dikë që do t’i ndihmojë lidhur me ndonjë problem, qoftë të vogël apo të madh. Andaj, asistenca e një personi mund të bëhet në mënyra të ndryshme, si me mjete materiale, financiare, fizike, etj. Por, ndër to ndodh që më e rëndësishme të jetë fjala e folur. Kjo e fundit duket e thjeshtë, por ka peshë të madhe.

Njerëzit kanë predispozita dhe preferojnë të socializohen më ata që kanë afinitet, si në qëndrime, vlerësime, opinione e konkluzione. Kështu, ata e shohin këtë mënyrë më adekuate për të zgjidhur problemet e natyrës së njëjtë, me të cilat preokupohen dy individë të ndryshëm. Duke i rrëfyer njëri-tjetrit për hallet e tyre, ata ndjejnë një lehtësim në shpirtin e tyre dhe në këtë drejtim denjojnë që të krijojnë raporte sa më intime dhe të sigurta.

Pas gjendjes së rëndë psiko-sociale në një vend, sidomos pas çdo lufte, zakonisht paraqiten probleme psikike, duke filluar nga stresi e deri te traumat. Kjo çështje rezulton edhe si konsekuencë e gjendjes së rëndë ekonomike dhe shkakton probleme të tilla. Pikërisht në situatë të tillë, njeriu kërkon një lehtësim shpirtëror.

Mungesa e komunikimit apo komunikimi i gabuar dhe jo i duhur lënë pasoja afatgjata në kujtesën e njerëzve. Pikërisht për këtë arsye, kërkohet komunikim, dhe se komunikimi duhet të jetë i orientuar mirë. Ndërkaq, sa i përket komunikimit të gabuar, ju e dini se nganjëherë ndodh që dikush të na thotë një fjalë të keqe në mëngjes, për pasojë, e tërë ajo ditë do të na duket monotone. Ndërkaq, nga ana tjetër, mjafton vetëm një kompliment për të na “rregulluar” ditën ose për të na gëzuar. Edhe në aspektin psikologjik, fjala lë gjurmë të thella në trurin tonë. Është shumë vështirë të harrohet, sepse ajo regjistrohet në Kujtesën Afatgjatë dhe sa herë që haset ndonjë koincidencë e tillë, menjëherë në imagjinatën tonë përqaset dhe shpërfaqet fjala që është regjistruar shumë kohë më parë.

Pikërisht për këtë mund të thuhet se plaga shërohet, ndërsa fjala nuk harrohet, që ka edhe kuptimin semantik edhe kuptimin metaforik të saj. Andaj, lexues i dashur do të thosha një gjë, nëse nuk ke se si t’i ndihmosh dikujt, falja një fjalë të mirë të paktën, e nëse nuk mundesh atëherë më mirë të heshtësh, sesa t’ia thuash një fjalë të keqe, sepse pesha e fjalës është shumë e madhe.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-