Njerëzit dhe deti

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Një djalosh e humbi këpucën në det, dhe në breg të detit ai shkroi: “Deti është hajdut.”
Jo larg nga ai, një peshkatar kapi shumë peshq, dhe në breg të detit ai shkroi: “Deti është bujar.”

Një i ri u mbyt në det, dhe në breg të detit nëna e tij shkroi: “Deti është vrasës.”
Një plak nxori margaritar nga deti, dhe në breg të detit shkroi: “Deti është fisnik dhe bujar.”
Dhe pastaj erdhi një valë e lartë e detit, e cila fshiu gjithçka që ishte shkruar në breg të detit. Pas kësaj, deti me qetësi tha: “Mos u shqetëso dhe mos u merr për fjalët e njerëzve të tjerë nëse dëshiron të bëhesh det.”
Prandaj, bëhu det dhe gjithmonë e ke një mjet që, ashtu si valët e detit, do t’i fshijë ato që kanë shkruar të tjerët në ‘bregun’ e jetës tënde. Sepse nëse i kushton vëmendje çdo fjale që thuhet për ty, dhe nëse ndalon pranë saj, nuk do të mund ta bësh asnjë hap përpara.
Dhe dije se disa njerëz nuk do të jenë të kënaqur me ty, pavarësisht çfarë të mire ju bëni atyre. Nëse me gjilpërë do të gërmoni një tunel përmes kodrës, ata do të thonë: “Pse je vonuar?”, ose, “Kjo ka mundur të bëhet më shpejt dhe më mirë”. Njerëzit të tillë kanë qenë më parë, të tillë janë sot dhe të tillë do të jenë deri në Ditën e Gjykimit.
Prandaj, mos u lodh dhe mos u përpiq t’i kënaqësh të gjithë njerëzit, sepse është mision i pamundur dhe qëllim i paarritshëm për të gjithë njerëzit, madje edhe për të dërguarit e Allahut. Mos e ngarko veten duke u përpjekur t’i bësh të gjithë njerëzit të mendojnë si ti dhe gjithmonë të pajtohen me ty, por mësohu me mendimet ndryshe.
Nëse shikon përreth do të zbulosh se bukuria e jetës është pikërisht në ndryshime dhe diversitete, dhe se pa ndryshime dhe kontradikta nuk do ta njihnim vlerën e gjërave të caktuara. Ai i Cili e ka bërë të vërtetën të bukur, e ka bërë mashtrimin dhe gënjeshtrën të shëmtuar, Ai i Cili e ka bërë drejtësinë të bukur, e ka bërë zullumin dhe padrejtësinë të shëmtuar. Për më tepër, ne ndonjëherë kemi më shumë nevojë për ata që janë ndryshe nga ne, sesa për ata që janë të ngjashëm me ne.
Imam Edh-Dhehebiu në veprën e tij ‘Sier el-‘alam en-nubela’ thekson se Junus es-Sadefi ka thënë: “Nuk kam takuar asnjë njeri më të mençur dhe më të zgjuar se imam Shafiu. Njëherë debatova me të për një çështje të sheriatit, dhe nuk u pajtuam në mendime. Pas kësaj, ai më takoi dhe më tha: ‘A nuk do të mbetemi vëllezër edhe nëse nuk pajtohemi në mendime?!’”
Le të jemi të butë dhe të mëshirshëm me njëri-tjetrin sa të jemi gjallë. Le t’i fshijmë gabimet dhe t’i harrojmë në mënyrë që vëllazëria jonë islame të mbijetojë dhe të zgjasë. Kur tu ekspozohesh bezdisjeve dhe fyerjeve, mos mendo për një përgjigje edhe më të keqe dhe më të fortë për atë që të ka fyer, por mendo se si do t’i përgjigjesh sa më bukur, sepse: “Nuk barazohet e mira dhe e keqja! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë – armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë.” (Fussilet, 34)
Një musliman e kishte fyer Halid ibn Velidin (r.a.), të cilit Halidi i kishte thënë: “Kjo është faqja e veprave të tua, prandaj mbushe atë me çka të duash!” https://saff.ba//

Përkthim: Miftar Ajdini

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-