Rëndesia e gjumit !

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Një nga elementët më të rëndësishëm të formulës për arritjen e sukseseve, paqes, lumturisë dhe devotshmërisë, është edhe nevoja e domosdoshme e njeriut për gjumë. Një ditë, dy ditë, e deri në njëmbëdhjetë ditë… Në bazë të studimeve të bëra, njeriu që qëndron pa gjumë për njëmbëdhjetë ditë çmendet e më pas vdes. Pra, kaq i rëndësishëm është gjumi për jetën tonë. Por, gjumi nuk është i rëndësishëm vetëm për të jetuar. Ai është një tregues po aq i rëndësishëm në vendosjen dhe ruajtjen e rregullit në jetë. Një njeri mund ta njihni shumë mirë nëse njihni regjimin e tij të gjumit.

Shiko rregullsinë/parregullsinë e gjumit dhe njih njeriun. Në bazë të kësaj, puno me të, bëhu shok, ose besoji një amanet, sepse njeriu që e ka rregulluar këtë nevojë që përbën një pjesë të rëndësishme të jetës, do të thotë se ai ia di vlerën mirësisë së kohës. Do të thotë se ai nuk i neglizhon punët.

Sprova e gjumit ka filluar që në kohën kur Islami ende nuk ishte shpallur hapur. Ashtu si Profeti ynë (a.s.), edhe myslimanët e fshehtë e falnin namazin e natës si namaz farz, duke e gjallëruar natën me tehexhud. Nëse nata e njeriut është e gjallë, edhe dita e tij do të jetë e tillë. Për një kohë të gjatë, myslimanët jetuan duke u përshtatur me diellin. Ata u bënë shokë për kokë me natyrën dhe përputhjen me rregullin e vendosur prej Allahut, nuk e konsideruan si zgjedhjen më të mirë, por si zgjedhjen e vetme.

Pas perëndimit të diellit, ata tërhiqeshin në shtëpitë e tyre dhe pas namazit të jacisë, i linin të gjitha punët e kësaj bote. Ata nuk kanë pasur kurrë nevojë për orë që të ngriheshin në namazin e sabahut, sepse regjimi i rregullt i gjumit, i ngrinte në këmbë përnjëherësh. Për t’u ngritur në namazin e sabahut, duhet të marrësh masat që në darkë. Kjo çështje nuk mund të zgjidhet në mënyrë rrënjësore as duke lexuar libra se si të ngrihesh në namazin e sabahut, e as duke kurdisur dhjetëra orë. Ashtu si adhurimet, edhe gjumi duhet të jetë i rregullt në mënyrë të vazhdueshme. Të thuash, më mjaftojnë gjashtë orë gjumë dhe, ato gjashtë orë ndonjëherë i fillon në dymbëdhjetë të natës, ndonjëherë në dhjetë, e ndonjëherë në dy të natës, jo vetëm që nuk do të mjaftojnë, por do të trullosin edhe më tepër.

Sot, gjumi ynë nuk është më në bazë të diellit dhe të namazit. Ne kemi ngecur midis dy punëve; edhe të namazeve të ditës, edhe të namazeve të natës, nëse arrijmë të ngrihemi dhe jemi të turbulluar prej dehjes së gjumit. Namazet tona janë rrëzuar qëkur prej fronit. Në vend të tyre tashmë qëndrojnë telenovelat, emisionet e debateve, ndeshjet e futbollit, muhabetet e kafeneve, etj. Ndërmjet reklamave falet namazi dhe kur ikin miqtë pas mesnate flihet gjumë. Ndërsa namazet e mbetura kaza, i hapin derën një zinxhiri tjetër kazashë. Ditën flemë në këmbë dhe përpiqemi të bëjmë punë gjysmë të dehur. Mossuksesin në provime ia atribuojmë intolerancës së mësuesve, ndërsa për mos mbarimin e punëve ia hedhim fajin mizorisë së pronarit apo drejtorit. Në mes të ditës na hapet goja për gjumë dhe përpiqemi të flemë në kohë të papërshtatshme.

Në këtë mënyrë na prishet edhe treguesi i kilometrazhit në rrugën për t’u bërë “njeri”. Por ai që nuk ia di vlerën ditës dhe natës, nuk mund të bëhet “njeri”. Nuk mund të bëhet as nxënës i mirë, as nënë, e as baba i mirë. Mbi të gjitha, ai nuk ka dobi as për veten e tij. Në fakt, i ndjeri ka qenë shumë i përpiktë në lidhje me kohën. Kur ishim në shkollë të mesme, mësuesi na tregoi se njëherë kishte shkuar të vizitonte Musa efendiun. Mirëpo kishin shkuar dy minuta me vonesë dhe ishin qortuar edhe për ato dy minuta. Por nuk janë vetëm dy minuta ama!.. Janë dy minuta të stërmëdha. Për shembull, çfarë do të bënit nëse do të mbeteshit dy minuta pa ajër?

Për njeriun që ka synime duhet të mbarojë koha e fjetjes në këmbë. Ne nuk duhet të ngremë krye ndaj Zotit tonë që e bëri natën mbulojë mbi ne, duke e ndriçuar gjithë natën me llamba elektrike. Ta ndriçosh me televizor, kompjuter apo llambë kohën kur duhet fjetur dhe duhet falur namaz, në fakt do të thotë ta errësosh atë shpirtërisht.

Ju uroj të gjithëve gjumë të ëmbël, cilësor dhe të rregullt!..

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-