Shanë dhe agjëron?!

Opoja.net Opoja.net Artikuj

PYETJA: Nëse një person agjëron, d.m.th. nuk ha, nuk pi dhe nuk bën ndonji veprim tjetër që e prish agjërimin sipas fesë. Mirëpo, i njejti shan, fol fjalë të liga, etj. Ky person, a duhet ta agjërojë përsëri muajin e Ramazanit dhe a e prish agjërimin me këto gjëra?

PËRGJIGJA: Allahu i Madhërishëm në Kur’anin famëlartë përkitazi me agjërimin ka thënë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. [El-Bekare, 183].

Ajeti në fjalë qartë tregon se agjërimi mëton të formojë një personalitet të kompletuar besimtar, musliman që do ta pastrojë zemrën e tij nga të ligat e zemrës, e po ashtu edhe me vepra do të jetë zbatues i denjë i urdhërave të Allahut. Për rëndësinë dhe funksionin e agjërimit në pastrimin e karakterit të njeriut flasin edhe shumë hadithe.

Ne nuk kemi ndërmend këtu të zgjerohemi në përmendjen e tyre, por do ta cekim sa për ilustrim hadithin: ”Kush nuk i len fjalët e këqija dhe veprat e liga, le ta dijë se Allahu nuk ka nevojë që ai ta len hajen dhe pijen”.

Bazuar në këtë që u tha, personi i cili agjëron nga ushqimi, por nuk i len fjalët e këqija dhe sharjet, ka dështuar në shfrytëzimin e mirësive të agjërimit. Ky nuk duhet të agjërojë edhe një herë, pasi juridikisht e ka kryer obligimin, mirëpo nuk ka marrë shpërblime të cilat Allahu i jep për agjëruesit ngase e ka djegur të drejtën për të shfrytëzuar diçka të tillë me atë që nuk është ndalur nga fjalët e këqija. Besimtari nuk duhet të agjërojë vetëm duke mos hëngër e mos pi, por edhe duke mos folur fjalë të këqija dhe duke mos bërë vepra të liga. Allahu na forcoftë në të vërtetën.

U përgjigj: Dr. Bashkim Aliu

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-