Si përfundoi Kosova në arbitrazh ndërkombëtar nga Contour Global

Opoja.net Opoja.net Shëndeti

Pa termocentral të ri dhe në rrezik të humbjes së 20 milionë eurove, mund të përfundojë marrëveshja komerciale e Qeverisë së Kosovës me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

I vlerësuar si një nga investimet më të mëdha
të huaja në Kosovë në vlerë prej 1.3 miliard euro, ky projekt nuk u finalizua.

Investitori Contour Global përveç që u tërhoq
nga ndërtimi i termocentralit në mars të këtij viti, e dërgoi Kosovën edhe në
Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar për mosrespektim të kontratës.

Me datë 24 maj 2020, sipas Ministrisë së
Ekonomisë dhe Ambientit, ka qenë e paraparë që të bëhet mbyllja financiare e
projektit Termocentrali “Kosova e Re”, por kjo nuk është arritur në kohë.

Në rast të mospërfundimit të këtyre
procedurave, me kontratë ishin paraparë ndëshkime financiare për palën, e cila
nuk i përmbushë obligimet.

Nëse zvarritjet e kontratës me Contour Global
shkaktoheshin nga Kosova duke mos i përmbushur obligimet, atëherë Qeveria e
Kosovës do të ketë si përgjegjësi financiare ndaj kompanisë Contour Global, një
vlerë prej 19.7 milionë eurosh.

Ndërsa, nëse Kosova i përfundon obligimet, por
Contour Global nuk arrin të sigurojë pakon financiare, atëherë kjo kompani do
t’i detyrohet Kosovës me një vlerë prej 17.5 milionë eurosh.

Në mars të këtij viti, kompania Contour Global
kishte njoftuar se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit, me
arsyen se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të
ardhmen, por po ashtu ishin theksuar edhe ndryshimet politike që kishin ndodhur
në Kosovë.

Në atë kohë në pushtet ishte koalicioni
qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje ishte shprehur kundër
marrëveshjes me Contour Global dhe sipas LVV-së, ky projekt, si i tillë, nuk do
të realizohet pasi, kompania në fjalë mund të rrisë çmimin e faturuar për
shpenzimin e energjisë elektrike. Ndërsa, Lidhja Demokratike të Kosovës ishte
shprehur se do të ndërtojë kapacitete të reja energjetike, por do të refuzojë
secilën alternativë investuese që shtrenjton çmimin përfundimtar të energjisë
elektrike prej 100 për qind.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar
ish-ministren e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe
Investimeve Strategjike në Kosovë, Rozeta Hajdari, për të parë se çfarë ka
ndodhur në kohën kur kompania ishte tërhequr nga projekti.

Ajo në një përgjigje me shkrim thotë se
Contour Global ka njoftuar se po tërhiqet nga projekti disa ditë pasi qeveria
kishte marrë vendim për themelimin e komitetit drejtues të projektit.

“Ne kemi analizuar kontratat dhe gjendjen e
projektit. Kemi diskutuar çështjen në komitetin drejtues dhe me pajtimin e
komitetit, kemi ftuar Contour Globalin në takim në lidhje me projektin. Me
propozimin tonë, komiteti ka marrë vendim në emër të qeverisë për të angazhuar
një ekip të avokatëve të dalluar, që do të këshillonin Republikën e Kosovës
lidhur me projektin. Qeveria e tanishme nuk e ka zbatuar vendimin tonë”, thotë
Hajdari.

Ajo thotë se projekti në kohën kur ajo ka qenë
ministre, ka qenë në fazën e përmbushjes së kushteve paravajtëse dhe se mbyllja
financiare ka qenë e paraparë për 24 maj 2020.

Këtë afat, shton ajo, Kosova nuk e ka shkelur,
por Contour Global ka dështuar t’i përmbushë detyrimet e veta.

“Më 3 qershor 2020 ne i kemi dërguar letër
Contour Globalit. Në këtë letër kemi refuzuar kërkesën e pabazë për pagesë
paushalle në lartësi prej mbi 20 milionë euro, kemi shpjeguar pse kontratat me
Contour Globalin kanë qenë juridikisht të pavlefshme”, thotë ajo.

Në këtë letër, po ashtu, Hajdari bën të ditur
se e kishin paralajmëruar Contour Globalin se Kosova mund t’i kërkojë kompensim
të dëmit.

Gjithashtu, në atë kohë, shton Hajdari, kanë
marrë vendim për të angazhuar ekipin e avokatëve që do të ndihmonin për të
zgjidhur çështjen.

“Kemi shpresuar se me përkushtimin tonë do të
gjejmë zgjidhje të favorshme pa pasur nevojë për arbitrazh. Qeveria e tanishme
nuk ka dashur zgjidhje në të mirë të Kosovës. Gjithsesi, Kosova duhet t’i
kërkojë përgjegjësi Contour Globalit, duke mos kursyer mjetet juridike”, thotë
ajo.

Hajdari thotë se në këtë proces Kosova mund të
dalë fitimtare nëse këtë çështje ua lë në dorë profesionistëve që mbrojnë të
drejtat ligjore dhe interesin publik.

“Politikanët e papërgjegjshëm dhe pazaret
politike mund ta dëmtojnë ecurinë, ashtu siç e kanë shkaktuar atë që në
fillim”, thotë ajo.

Ndërkaq, ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik,
Valdrin Lluka, i ka thënë shkurt Radios Evropa e Lirë se kur ka ndodhur
tërheqja e kompanisë Contour Global nuk ka qenë pjesë e qeverisë, por, sipas
tij, qeveria është dashur që lidhur me këtë çështje, të konsultohet me
këshilltarët ligjorë për të diskutuar për hapat prej muajit mars.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje në
kompaninë Contour Global lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij
shkrimi, ajo nuk kanë kthyer përgjigje.

Qeveria e Kosovës tanimë në bashkëpunim me
Avokaturën e Shtetit, kanë marrë masa që ky proces në arbitrazhin ndërkombëtar
të ndiqet dhe çështja të mbrohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Avokati i përgjithshëm shtetëror i Kosovës,
Sami Istrefi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se po përgatiten se si do t’i
qasen këtij kontesti.

“Kompania në fjalë ka pasur një raport
kontraktual me shtetin e Kosovës në të gjitha fazat nga faza fillestare deri te
fizibiliteti dhe çështjet tjera. Është e vërtetë që kompania është tërhequr nga
ndërtimi i Termocentralit ‘Kosova e Re’. Ne jemi duke analizuar marrëveshjen që
shteti i Kosovës ka pasur me këtë kompani dhe pas shqyrtimit të përgjithshëm të
këtyre marrëveshjeve ne mund të nxjerrim një konkluzion se cila është kërkesa
fillestare e tyre, ku bazohen dhe cilat janë ato elemente për të kundërshtuar
këtë padi”, tha Istrefi.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane
në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka qenë shteti i
Kosovës që nuk ka arritur të përmbushë detyrimet e tij, gjë e cila, sipas tij,
ka nxitur edhe largimin e kompanisë nga projekti i ndërtimit të Termocentralit
“Kosova e Re”.

Kosova, shton ai, ka dështuar të sigurojë
aprovimin përfundimtar nga ana e Kuvendit të Kosovës për ndërtimin e
Termocentralit “Kosova e Re”.

“Njoftimi për tërheqje nga një projekt i tillë
ka ndodhur në rrethana kur partitë politike dhe deputetë të kuvendit kanë
deklaruara haptas se nuk do të aprovojnë të njëjtën marrëveshje kurdo që ajo të
sillet në Kuvendin e Kosovës”, thotë Zeka.

Vlen të theksohet se garancia shtetërore për
pakon financiare për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, kërkonte 2/3 e
votave të deputetëve të Kosovës.

Kosova, shton Zeka, përtej një dëmi të
mundshëm financiar për të cilin mund të detyrohet ta kompensojë, ka humbur
mundësinë që të fuqizojë kapacitetet e saj vendore për gjenerim të energjisë
elektrike.

“Kur bëhet fjalë për projekte të tilla si
Termocentrali ‘Kosova e Re’, duhet të ketë konsensus nacional dhe dinamikë më
të shpejtë dhe realizimin e këtyre projekteve që në Kosovë ka munguar”, shton
Zeka.

Lajmit për tërheqje të kompanisë Contour
Global nga ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” ishte mirëpritur nga
përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët e konsideronin si një projekt të
dëmshëm për mjedisin dhe qytetarët.

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të
vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane, Contour Global, për
ndërtimin e këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, i cili do të
kushtonte 1.3 miliard euro.

Si i tillë, ky projekt përfaqësonte investimin
më të madh të huaj në Kosovë.

Termocentrali “Kosova e Re”, ishte paraparë të
fillohet të ndërtohet në këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit
dhe si i tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por
me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë
elektrike.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-