Si ta blejme xhenetin?

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Në hutben e sotme, me lejen dhe ndihmën e Allahut, do të flasim në temën: Si ta blejmë xhenetin?

Vëllezër të dashur;

E kemi për detyrë të frikësohemi nga Allahu dhe ta falënderojmë Atë, për shkak se na ka furnizuar me begati të panumërta, të cilat pastaj ne kemi mundësi t’i shpenzojmë dhe të dhurojmë edhe për të tjerët. Duhet ta dimë se nga pasuria jonë, e jona është vetëm ajo qe e kemi dhënë për botën tjetër.

Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kush e do më shumë pasurinë e trashëgimtarëve sesa pasurinë e vet?” Ata i thanë: “O i Dërguar i Allahut, secili prej nesh e do më shumë pasurinë e vet.” Ai tha: “Vërtet pasuri e tij është vetëm ajo që e ndanë për të tjerët, kurse pasuri e trashëgimtarëve të tij është ajo që e lë pas vetes.”

Tregohet se Ahnef ibn Kajs e kishte parë një njeri duke e mbajtur në dorë një dërhem, dhe e kishte pyetur: “I kujt është ai dërhem?”

Njeriu ishte përgjigjur: “Ky është dërhemi im.”

Ibn Kajsi i kishte thënë: “Ai nuk është dërhemi yt derisa është në dorën tënde.”

Në këtë kontekst janë këto vargje:

“Ti i përkasësh pasurisë, derisa ajo është te ti,
kurse pasi ta harxhosh, atëherë ajo të përket ty.”

Vëllezër besimtarë;

Të gjitha këto transmetime na tregojnë qartë se ne duhet të ndajmë derisa kemi mundësi, sepse kush e di nëse pasardhësit tanë, fëmijët tanë, a do të ndajnë nga ajo pasuri në emrin tonë.

Prandaj, derisa pasuria është ende në duart tona, le ta dërgojmë në llogarinë e ahiretit!

Derisa pasuria është ende në duart tona;

– le të bëjmë diçka me të cilën do të jemi krenar edhe në këtë botë edhe në botën tjetër,

– le të bëjmë diçka që do të jetë e dobishme për individin dhe për bashkësinë,

– le të bëjmë diçka me të cilën do t’i prekim zemrat e njerëzve,
sepse njerëzit e mençur kanë thënë: ‘Nëse ju doni të jetoni në zemrat e njerëzve edhe pas vdekjes suaj, atëherë prekni zemrat e tyre.”

– Pra, le të lëmë diçka të dobishme pas vetes.

Njeriu, e ka vetveten më të rëndësishme se çdo gjë tjetër. Andaj, le ta shfrytëzojmë pasurinë që na ka dhënë Allahu dhe ta blejmë për vete xhenetin, e mos ta shpenzojmë pasurinë tonë për t’i blerë fëmijës automobil, banesë etj., sepse kush e di, a do të na kujtojë ai fëmija jonë pas vdekjes të paktën me një Fatiha, e lëre më me diçka më shumë.

Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Allahu, me të vërtetë, ka blerë nga besimtarët e vet trupin dhe pasurinë e tyre, për t’iu dhuruar xhenetin atyre…” (et-Tevbe, 111)

“Kush është ai që i jep hua Allahut – hua të bukur, e që Ai ia kthen shpërblimin shumëfish?” (el-Bekare, 245)

Kurse Pejgamberi (savs) ka thënë: “Bujaria është një dru i xhenetit, bujari do të kapet për një degë të tij, dhe ajo degë nuk do ta lëshojë derisa ta fut në xhenet. Ndërsa koprracia është një dru i xhehenemit, e kush është koprrac do të kapet për një degë të tij, dhe ajo degë nuk do ta lëshojë deri sa ta fut në xhehenem.”

Vëllezër besimtarë;

Ndarja e pasurisë në rrugën e Allahut, ndarja e pasurisë në rrugën e hajrit, në rrugën e së mirës, nuk e “rrit” vetëm llogarinë e ahiretit, por e “rrit” edhe bereqetin e kësaj bote.

Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Thuaj: Me të vërtetë, Zoti im, i jep furnizim të bollshëm kujt të dojë nga robërit e Tij dhe ia pakëson kujt të dojë prej tyre; e, Ai ua kompenson atë që e ndani ju; dhe Ai është më i miri furnizues.”

Muhamedi (savs) thotë se Allahu i Plotfuqishëm ka thënë në një hadith kudsijj: “O robi im, jep ti, dhe Unë do të jap ty.”

Xhemat i nderuar;

Në Kuvajt ka jetuar një njeri me emrin Abdullah el-Mutava. Ai ishte bamirës i madh, kishte dhuruar vakëfe të shumta. Çdo muaj ndante nga 2 milionë dollarë në emër të sadakës në mbarë botën. Para zyrës së tij, çdo mëngjes formohej radhë e madhe e atyre që lypnin, dhe ai ju jepte të gjithëve atë që kërkonin. Përveç shpirtit të mirë dhe pasurisë së madhe që Allahu i kishte dhënë atij, ai kishte edhe 11 fëmijë. Fëmijën e tij të 11-të, Abdullahu vendosi ta dërgojë në një nga shtetet perëndimore për ta studiuar ekonominë, ashtu që ta zëvendësojë me sukses në punën e tij.

Djali shkoi për të studiuar, kurse Abdullahu edhe më tutje vazhdonte të ndante me shumicë, dhe sa më shumë që ndante Allahu i jepte edhe më tepër.

Kur djali i mbaroi studimet e tij dhe u kthye në vendlindje, e gjeti babain e tij duke ndarë si zakonisht, andaj djali, tash si ekonomist që ishte bërë, i tha: “O baba i dashur, nëse vazhdon kështu, ne do të mbetemi pa para, do të falimentojmë!”

Babai u shtang nga fjalët e djalit, të cilin e pyeti:

“O biri im, a ti e ke humbur bindjen në besim, në bereqet dhe në nafakë?”

Djali u përgjigj: “Jo, o baba, por mua më kanë mësuar në shkollë se ekzistojnë vetëm të ardhurat dhe shpenzimet, hyrjet dhe daljet!”

Atëherë babai u përpoq t’i shpjegojë atij se ekziston bereqeti i Allahut. Se vetëm Allahu jep dhe merr. Ai u përpoq t’i shpjegojë se sa më shumë që japin, Allahu ju kthen edhe më shumë. Por e gjithë kjo ishte e kotë, sepse djali i tha:

“Jo, baba, ekzistojnë vetëm hyrjet dhe daljet. Nëse do që unë të të trashëgoj ty në punë, më nuk ka ndarje.”

Atëherë Abdullahu i tha të birit: “Djali im i dashur, një dele sa qengja mund t’i lindë?”

“Një ose dy”, – u përgjigj i biri.

“Po sa këlysh mund t’i lind një bushtër (mecë)?”

“Mundet 3, 4, madje kam dëgjuar njerëzit duke thënë edhe 5 e 6.”

“Mirë pra, biri im”, i tha babai dhe vazhdoi: “Çka hanë njerëzit në këtë botë më shumë, mish deleje apo mish qeni?”

Djali i habitur nga kjo pyetje, tha: “I dashuri baba, po të gjithë hanë mish deleje, unë nuk e di se dikush ha mish qeni!”

“Shumë bukur, biri im”, i tha babai, pastaj vazhdoi: “Ma jep një përgjigje edhe në pyetjen e tretë: Djali im, çka ka më shumë në botë, dele apo qen?”

“Dele”, u përgjigj djali.

Atëherë babai i tha: “Djali im i dashur, më thuaj pra;

– Si është e mundur që të ketë më shumë dele se sa qenë, edhe pse delja lind vetëm një ose dy qengja, kurse bushtra lind tre këlyshë e më shumë?

– Si është e mundur që në botë ka më shumë dele se sa qenë, edhe pse të gjithë hanë mish deleje, kurse mish qeni nuk ha askush?

– Si është kjo e mundur? Ku janë këtu hyrjet dhe daljet?”

Djali tha: “I dashuri baba, unë në këto pyetje nuk di të përgjigjem!”

Babai vazhdoi: “Ja, pra biri im, ky është bereqeti për të cilin të fola pak më herët. Ky është bereqeti të cilin e ka dhënë Allahu te delet, por jo edhe te qentë!”

Vëllezër të dashur;

Ngjashëm me këtë është edhe bereqeti të cilin e ka dhënë Allahu edhe në ato 75 € të pensionit, andaj kur e pyet një gjysh: “Si po jeton o gjysh?”

Thotë: “El-hamdu lil-lah. Kam mjaftë sa me ngrënë dhe me pi!”

Mirëpo, kur të njëjtën pyetje ia bën një biznesmeni, të ardhurat mujore të cilit llogariten me mijëra, ai thotë: “Është bërë vështirë për të jetuar, kurrsesi nuk po mund t’ia dalim në krye, kriza, kredia…”

Patjetër se ka krizë, kur Allahu nuk të jep bereqet në pasuri. Prandaj, është më mirë që t’i kesh 75 €, me bereqet, sesa 10.000 €, pa bereqet.

Prandaj, nuk kërkohet ndarja vetëm nga të pasurit, por kërkohet edhe nga të varfrit që të ndajnë aq sa kanë mundësi, edhe nëse ajo është e vogël, edhe nëse është një euro apo një cent. Pejgamberi (savs) ka thënë: “Ruhuni nga zjarri, qoftë edhe me gjysmë hurme.”

Dhe në fund të kësaj hutbeje le t’i dëgjojmë këto tri ajete nga Kurani:

“O besimtarë, mos t’ju habisin pasuria juaj dhe fëmijët tuaj nga të përmendurit Allahun. E ata që bëjnë këtë, do të humbin. – Jepni ju prej atyre dhuntive, që u kam dhënë Unë juve, para se t’ju vijë vdekja ndonjërit, e ai të thotë: “O Zoti im, sikur të më kishe lënë edhe një kohë të shkurtër në jetë, do të kisha dhënë sadakën dhe do të bëhesha ndër të mirët!” – Allahu nuk i jep afat askujt, kur t’i vijë momenti i vdekjes; e Allahu di mirë atë që punoni ju.” (el-Munafikun, 9-11)

O Zoti ynë, po të lutemi ashtu siç të luten melekët: “O Allah, jepi edhe më shumë atij që jep. O Allah, jepi shkatërrim atij që bën koprraci!” Amin!!!

Përshtati: Miftar Ajdinii

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-