Ky shkrim është si përkujtim për të qenë të kujdesshëm në lidhje me rëndësinë e zemrës. Ne besojmë se çdo qëllim dhe vepër që bëhet me zemër të pastër, do të jetë e pranuar tek Allahu i Madhëruar. Ata që kanë zemër të pastër dhe të butë, bëjnë shumë kujdes të mos thyejnë e cenojnë zemrat e njerëzve. Ndërsa, ata që kanë shpirt të ashpër, shumë rrallë mund të arrijnë të fitojnë ndonjë zemër. Kur Allahu i Madhëruar po e dërgonte Musain (a.s.), tek Faraoni, e urdhëroi atë të përdorte një gjuhë të lehtë dhe të butë. Nga kjo, kuptojmë se gjatë bisedës, qoftë me mikun, qoftë me armikun, duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të jemi të butë, sepse butësia është një nga degët e moralit të bukur.
I Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë: “Njerëzit e butë janë të nderuar edhe në këtë botë, edhe në tjetrën” “Butësia është virtyt i afërt me profetësinë.” (Kenzu’lIrfan) Ndërsa në një hadith tjetër, Rasulullahu (a.s.), ka thënë: “Padyshim se Allahu i Madhëruar është i butë dhe i matur. Për rrjedhojë, Ai i pëlqen veprat që bëhen me butësi dhe maturi. Shpërblimin që ia jep një vepre të bërë me butësi e maturi, nuk ia jep veprës së bërë me ashpërsi.” Po ashtu, në një hadith tjetër, Rasulullahu (a.s.), ka thënë: “Kur Allahu i Madhëruar dëshiron mirësi ndaj një familjeje, i bën ata të sillen me butësi dhe maturi ndaj njëri-tjetrit. Nëse butësia dhe maturia do të dukeshin si një qenie me trup, njerëzit nuk do të shihnin gjë më të bukur se ajo. Nëse edhe ashpërsia do të dukej si një qenie me trup, njerëzit nuk do të shihnin gjë më të shëmtuar se ajo.” Të ndjekim dhe t’i japim rëndësi aspektit shpirtëror dhe moral të Rasulullahut (a.s.), është nga adhurimet më të mira.
I nderuari Mahmud Sami Ramazanoglu, Allahu e mëshiroftë, sillej me mirësi dhe butësi ndaj të gjithëve, pa përjashtim. Gjatë gjithë jetës së tij nuk është parë kurrë të jetë sjellë ashpër me ndokënd e t’i ketë thyer zemrën. Ai ruhej shumë, si nga teprimi, ashtu edhe nga lëshimi, duke zgjedhur rrugën e mesme dhe duke vepruar me maturi në çdo çështje. O Zot! Për hir të Rasulullahut (a.s.) dhe të dashurve të Tu: Na e shto dijen! Na stolis me butësi! Na ndero me devotshmëri! Na zbukuro me shëndet! Allahu i Madhëruar, urdhëron: “Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangët. Këta janë ata për të cilët në botën tjetër nuk do të ketë kurrgjë, përveç zjarrit. Do t’u shembet çdo gjë që kanë bërë në këtë jetë dhe do t’u zhvlerësohet ajo që kanë punuar.” (Hud, 15-16) Ebu Dherri (r.a.), ka thënë: “Njëherë, kur isha së bashku me Rasulullahun (a.s.), ai tha: «Ata që kanë pasuri në këtë botë, do të kenë pak sevape në botën tjetër. Përjashtim bëjnë vetëm ata që ndihmojnë dhe bëjnë mirë majtas e djathtas (përreth).” (Rikak, 13.)
© Opoja.net
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.