Në shtëpinë e profesorit të vjetër u takuan studentët që kishin pas diplomuar shumë vite më parë dhe i kishin pas braktisur karriget e universitetit. U takuan pas shumë viteve dhe ndërkohë, ata kishin pas arritur suksese në jetën e tyre profesionale dhe kishin marrë pozita të larta në shoqëri dhe ishin bërë pasanikë.
Pas fjalëve përshëndetëse dhe muhabeteve rreth përditshmërisë së tyre, filluan t’i paraqesin edhe presionet që i fitojnë nga puna, t’i paraqesin brengat dhe ajo që iu shkakton probleme. Profesori për një çast u largua nga ta, e pastaj u kthye duke bartur me vete një ibrik të madh kafeje dhe filxhanë në forma dhe me ngjyra të ndryshme.
Filxhanë të shtrenjtë kinezë, filxhanë nga xhami i thjeshtë, filxhanë nga plastika, filxhanë nga kristali, e disa nga to, ishin me dizajnë dhe me ngjyra të mrekullueshme dhe normalisht të shtrenjta në çmim, dhe po ashtu, kishte edhe aso lloje që i gjen edhe nëpër shtëpitë më të varfra.
Profesori u tha nxënësve të vet:
– Urdhëroni, secili le të merr kafe për veti.
Kur çdonjëri nga ta e mori filxhanin e vet, profesori foli përsëri:
– A e vërejtët se në duart tuaja i keni vetëm filxhanët e bukura dhe i braktisët ato të thjeshtat? E natyrshme është që çdonjëri të shkojë pas asaj që është më e bukur dhe kjo është ajo që u jep brenga dhe probleme që nuk keni nevojë për to. Në të vërtetë ju e doni kafenë, e jo filxhanin, mirëpo ju u ngutët t’i merrni filxhanët e bukura dhe të shtrenjta, e pastaj e vërejta se secili prej jush e shikonte se çfarë ka marrë tjetri në dorën e tij. Të supozojmë se jeta është kafeja, atëherë puna, pasuria dhe pozita shoqërore janë filxhanët. Pra, ato (filxhanët) janë thjesht mjete që përfshijnë jetën, kurse cilësia e jetës (kafeja) mbetet e njëjtë, nuk ndryshon dhe ne nëse koncentrohemi vetëm në filxhanin, do ta humbim mundësinë ta shijojmë kënaqësinë e kafesë. Prandaj ju këshilloj që të mos përkujdeseni për gotat e filxhanët dhe në vend të saj ju këshilloj që të kënaqeni me kafenë!
Në realitet kjo është sëmundja nga e cila ankohen shumica. Ekziston një lloj i njerëzve që nuk e falënderojnë Allahun për atë që e posedojnë, sado që arrijnë nga suksesi, sepse ata gjithmonë e shikojnë se çfarë posedojnë të tjerët.
Martohet me grua që ka moral, mirëpo i mbetet bindja se tjetri e ka gruan më të mirë se të veten. E shikon shtëpinë ku banon dhe fillon të flet në vete se tjetri shtëpinë e ka shumë më të mirë se të veten. Në vend se të kënaqet me jetën, me familjen e vet dhe me të afërmit e vet, ai mendon për të tjerët dhe thotë: Ku ti kisha ato që i ka ai!
I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, thotë: “Kush zgjohet i sigurt në veten e tij, i shëndoshë në trupin e tij dhe me ushqimin ditor të tij, është njëlloj sikur t’i jetë dhënë e gjithë bota.”[1]
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
[1] Imam Buhariu, 300, Edebul mufrad, imam Tirmidhiu, 2346, hadithi hasen garib
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.