Besimtari është si Uji

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Besimtari dhe puna që bën ai, janë si uji. Siç është uji baza e jetës, edhe besimtari është një njeri që e ka perceptuar të fshehtën e krijimit të tij dhe të gjithësisë nga ana e Allahut Teala. Njeriu besimtar është i domosdoshëm si uji. Edhe veprat që bën, janë të nderuara. Ndërsa njeriu i privuar nga besimi është si shkuma. Edhe pse ka pamje tërheqëse, ajo është vetëm shkumë. Formohet në ujë, por nuk është si uji. Është e përkohshme dhe e pavlefshme.

Veprat e njeriut të privuar nga besimi, nuk kanë vlerë. Ai që nuk është besimtar, bën vepra që do të shkrihen me përkohshmërinë e të përkohshmit, edhe nëse ka pamje madhështore. Ndërsa besimtari është kërkues i xhenetit të përhershëm. Ngaqë veten e shikon si meritues të përhershmërisë, e shfaq këtë cilësi edhe në punët që bën. Ai përpiqet për këtë dhe në këtë mënyrë. Njeriu besimtar vepron me këtë perceptim kur punon për jetën ditore dhe kur bën ibadet për Zotin (xh.xh.).

Ai nuk e shikon të hijshme për veten e tij që të bie në nivelin e shkumës. Në ibadet përpiqet të arrijë shkallën e duhur. Edhe në marrëdhëniet me njerëzit përpiqet të arrijë nivelin e kërkuar. Nuk i pëlqen të bëhet i zakonshëm dhe i rëndomtë, sepse të jesh një njeri i zakonshëm dhe të bësh vepra të zakonshme, do të thotë të pranosh të jesh si shkuma. Ndërsa ai është si uji. Uji është jetë dhe i domosdoshëm për jetën. Çfarëdo pune që të bëjë besimtari, ajo është e nderuar, është ujë e pastër .

Kur besimtari kryen ndonjërin prej ibadeteve, për shembull, kur fal namazin, nuk fal një namaz sipërfaqësor në vlerën e shkumës. Namazi që fal ai është si uji. Ai namaz është burimi i jetës së tij. Ai bëhet burim jete, pra ashtu siç është uji, kur mban agjërim, kur bën haxhin, kur jep zekatin, kur lexon Kuranin, kur i mban të forta lidhjet farefisnore, kur përkujton Allahun, kur lexon dhe kur shkruan.  Kur besimtari martohet dhe bëhet zot i familjes, ai përsëri e ruan natyrën e tij të ujtë.

Edhe nëse të gjithë njerëzit bëhen si shkumë, ai është ndryshe prej tyre, është i nderuar dhe bën vepra të nderuara. Martesën e tij e realizon në kushtet e tokës dhe në shkallë qiellore. Ai nuk ka shpresa boshe duke pritur një lumturi të shkurtër, por hedh hapat e duhur për një lumturi të përhershme, duke synuar Xhenetin. Fillon dhe vazhdon me vepra sublime. Nuk shkrihet dot me vlerat e përkohshme. Vështrimet e ndërsjellta të partnerëve, durimi i ndërsjelltë ndaj njëri-tjetrit, shpresat, pritshmëria dhe ngushëllimet reciproke mund të jenë si uji por edhe si shkuma. Besimtarit i intereson uji i jetës në marrëdhëniet brenda familjes në të cilën merren rezultatet e prera për identitetin e tij.

Besimtari që ka fëmijë, e shikon jetën me këtë sy. I lind, i rrit dhe i edukon ata, por nuk i mbush me boshllëk të shkumtë. Ai kurrë nuk heq dorë nga uji dhe vazhdimisht përpiqet të bëhet si i tillë. Kësaj i beson si domosdoshmëri e të qenit besimtar. Durimi i besimtarit nuk është si shkumë. Ai që nuk mashtrohet me gjëra të përkohshme, sigurisht se nuk ka një durim sipërfaqësor. Durimi i besimtarit reflekton identitetin e tij. Ai jeton me një durim të ujtë në ditën, natën, punën dhe shtëpinë e tij. Atë durim e ka edhe në ibadet, edhe në marrëdhëniet me të tjerët. Besimtari është cilësior edhe në fjalët që zgjedh kur flet. Të folurit, të dëgjuarit, madje edhe të medituarit i ka plot jetë.

Njeriu mund të njihet nga fjalët që thotë dhe fjalitë që përdor. Ngaqë identiteti i besimtarit mund të njihet nga gjuha dhe lëvizjet e trupit, ai nuk përdor fjalë të kota dhe nuk shfaq sjellje sipërfaqësore.  Besimtari udhëton, pushon, bisedon dhe argëtohet. Madje, ai argëton edhe të tjerët. Këto i shikon si mirësi të Allahut të Lartmadhëruar. Kur besimtari të arrijë të identifikohet si i tillë, qoftë në xhami apo qoftë në bahçen e çajit, atëherë ai ka filluar të fitojë kënaqësinë e Zotit dhe të njerëzve.

Besimi është një sjellje. Në të njëjtën kohë është një nivel. Është orientim dhe informacion për identitetin. Besimi është personalitet. Ky personalitet asnjëherë nuk është i pavërtetë. Të bëhesh si shkuma që shtohet kur tundet, është tjetër gjë dhe të bëhesh si uji e si baza e jetës, është tjetër gjë. Nëse duhet të zgjedhë, besimtari zgjedh të bëhet si uji.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


- Reklama-
- Reklama-