Njeriu është krijuar dhe përsosur në strukturën dhe funksionimin e tij fizik. Tërë trupi i tij, që nga qeliza e deri te sistemet e organeve, i bindet plotësisht dhe pa kushte kaderit (caktimit), nëpërmjet “frerëve”, që vetë njeriu ka dëshirën paradoksale t’i quajë “ligje të natyrës”. Falë rregullit dhe sistematikës në ndërtim, elementi fizik njerëzor është imtësisht i studiueshëm, për pasojë edhe i parashikueshëm për pësimet e trupit nga veprimi i “shkaqeve”. Por studiuesit rreken më kot kur synojnë të sistematizojnë, apo të fusin në determinizmin evolucionist të “ligjeve të natyrës”, shpirtin dhe unin njerëzor. “Njeriu është i paparashikueshëm, i pashpjegueshëm, i pakënaqur, i përshkuar nga dyshimet e frika, ‘i lakuar’ siç do të thoshte Ajnshtajni…”, shkruan Alija Izetbegoviç (“Islami ndërmjet lindjes dhe perëndimit”, f. 49). Ky njeri “i lakuar” jeton përditshmërinë mes trazimesh. Herë-herë jeta i vjen e qetë, e sigurt. Madje loja e jetës i “dhuron” atij edhe bonuset e sukseseve, pozitës, fëmijë e pasuri, kënaqësitë, që gjithsesi janë të përkohshme, vetëm disa çaste. Ndonjëherë jeta i bëhet edhe monotone, deri në mërzi. Herë-herë problemet i trokasin njëherësh, aq sa, nga hutimi, ai u hap derën dhe bie i mundur nën thundrën e tyre. Ka dëshira dhe ëndërron, por fuqitë nuk i mjaftojnë. Ngadalë dhe pa kuptuar rrëshqet drejt dëshpërimit. Shtyn ditët me shprehjen “shpresa vdes e fundit!”. Duket sikur trupi-kafaz është skena ku shpirti përjeton përplasjet mes shpresës dhe pesimizmit. Në fund njeriu ndjehet i dobët, i dërmuar nga mundimet. Edhe një grup njerëzish, një bashkësi, një popull, apo tërë shoqëria, përkundër bashkimit të energjive, fuqive intelektuale e financiare, ndjen për çdo ditë e më shumë dobësinë dhe paaftësinë për të zgjidhur shqetësimet psikologjike, problemet social-ekonomike, sfidat e zhvillimit.
Allahu, Krijues dhe Ndihmues, i ofroi njeriut një “paketë ndihme”, në formën e ibadeteve (adhurimeve), për t’i dhënë ritëm ditës, për t’i dhënë energji pozitive (siç iu pëlqen psikologëve të shprehen) qenies njerëzore, për t’i dhënë optimizëm jetës. Duket si utopike, por, për myslimanin që sinqerisht fal namaz, që jep sadaka e zekat, që agjëron e bën punë të mira, që kryen haxhin dhe përkujton vazhdimisht Allahun e Gjithëmëshirshëm, zgjidhja është e prekshme, frytet e saj janë reale, të natyrshme. Myslimani nuk u fshihet vjedhurazi vështirësive të jetës, por përballet me to me dinjitet.
Një prej adhurimeve është edhe lutja (dua-ja). Madje ajo është quajtur edhe si palca e adhurimit. Në Kur’an gjejmë shumë lutje. Allahu, Dëgjues, i Ditur, e nxit njeriun që t’i drejtojë lutje, që Ai t’iu përgjigjet (Kur’an, 40/60). Të gjithë pejgamberët i janë lutur Zotit të botëve, për një spektër të gjerë çështjesh jetësore. Gjithashtu, lutja ka qenë pjesë e konsiderueshme e praktikës (sunetit) të të Dërguarit të Nderuar, Muhamedit a.s. Ditët e tij ishin të mbushura me lutje drejtuar Allahut. Ai zgjohej në mëngjesin e hershëm me falënderime e lutje. Çdo punë e fillonte me lutje. Pas çdo abdesi, namazi dhe pune të mirë, lutej. Para çdo shqetësimi, problemi e vështirësie i lutej Allahut. Edhe ditën me lutje e falënderime për Krijuesin e mbyllte. Mrekullohej me krijimin e Zotit, me madhështinë e qiejve, me gjallërinë e Tokës, me bukuritë e natyrës, me ndërrimin e natës dhe ditës, me rënien e pikave të shiut dhe madhëronte Allahun e i lutej Atij për më shumë begati e mirësi.
Po, ai ishte Pejgamberi i lutjeve të bukura. “Ai është edhe mbreti i lutjes!” (“Dritë e pashuar”, F. Gylen, Prizmi, f. 394). Dhe Allahu, përmes të Dërguarit Muhamed, e vlerësoi lutjen si një praktikë edukimi. Po të lexosh librat e lutjeve profetike, lutjet e mëngjesit apo të mbrëmjes, ndjen sikur futesh në kopshtet dhe odat e mrekullueshme të Darul Ilm (Shtëpisë së Dijes). Kudo ka atmosferë Teuhidi (Njësimi të Allahut). Në çdo varg frymon madhërimi dhe falënderimi për Zotin Mëshirues. Njihesh me Allahun, me Emrat dhe Cilësitë e Tij të Larta. Mëson esencën e fesë islame, bazat e besimit dhe si ta dëshmosh atë. Mëson të besosh në takimin me Zotin. Kupton se dobësia e njeriut fiton forcë duke u mbështetur tek Allahu i Plotfuqishëm. Diku numëron rreziqet që e kërcënojnë njeriun dhe shoqërinë. Shikon se si ai përpëlitet i pashpresë mes dallgëve të mohimit, kundërshtimit e konflikteve, se si përballet me armiqësinë, padrejtësitë dhe dhunën. Herë-herë, qetësisht, unin e kaplon vetmia, mërzia e përtacia. Ndonjëherë duket sikur mbytet në pangopësi e koprraci, në varfëri e borxhe, në intriga e frikë. Dhe, sikur të ishte një bartës i derteve të njeriut, i Dërguari i Nderuar a.s. jep mësimet e duhura dhe ofron melhemin shëndetsjellës, lutjen me përulje e nderim ndaj Allahut.
Shpirti i lutjes është sinqeriteti i vërtetë, larg shtirjes, kur njeriu dorëzohet para malit të halleve. Çdokujt i ndodh që të qajë hallet e t’i kërkojë ndihmë të ngjashmit të tij, i njohur apo i panjohur, të cilit “fati” i ka veshur rrobën fodulle të pozitës, të pasurisë apo të fuqisë. Zhgënjimi e ndjek nga pas. Shpesh merr prej tij mospërfillje, fjalë e premtime pa fund dhe, për çudi, dëgjon edhe hallet e tij ende të pazgjidhura. Shkon të gjejë derman te doktori i sëmurë! Lutësi ndjen pafuqinë, pamundësinë dhe vetminë. Në këtë udhëkryq, i mbyllur në vetvete, e vetmja gjë që i mbetet është gjetja e dikujt, që vetëm t’ia dëgjojë zërin e sinqertë e t’ia besojë zemrën e plasur. Këtë boshllëk asfiksues praktika profetike e mbush mjeshtërisht me lutjen ndaj Allahut Bujar. I Dërguari Fisnik a.s. na këshillon që t’i lutemi përulësisht mëngjes e mbrëmje Allahut, që e kemi shumë pranë, madje edhe më pranë se damari i qafës (Kur’an, 50/16 dhe 2/186). “Personi që bën lutje e di se ndodhet dikush që e dëgjon zërin e tij, që dërgon ilaç për sëmundjen e tij, që e mëshiron atë dhe që dora e fuqisë së të Cilit arrin gjithçka. Ai nuk është i vetëm në këtë bujtinë të madhe të dynjasë. Ndodhet një Gjithëbujar i Vetëm që kujdeset për të. Duke e menduar veten në praninë e të Vetmit që mund t’ia plotësojë të gjitha nevojat e tij dhe t’i zmbrapsë të gjithë armiqtë e tij të panumërt, robi ndjen një gëzim e lehtësim dhe ka hequr një peshë aq të rëndë sa dynjaja dhe thërret: “I gjithë lavdërimi i takon Zotit të botëve.” (“Mektubat” – Letrat, Bediuzaman Said Nursi, f. 455-456).
Lutja e bën të vetëdijshëm myslimanin për vështirësitë dhe rreziqet që i rezervon jeta e përditshme. Lutja e vazhdueshme kthehet në një ushtrim periodik të unit për të sfiduar problemet, edukim të njeriut përgjatë jetës me vlerat qytetare dhe udhëzim për shpirtin drejt lartësimit. Lutja e ndihmon myslimanin të njohë vetveten, të kënaqet me caktimin e Zotit dhe të kërkojë të ndryshojë drejt më së mirës, që dita të mos i ngjajë ditës. Për çdo ditë, nëpërmjet lutjes, myslimani i kujton vetes se duhet të synojë të drejtën dhe të mos bjerë në padrejtësi, duhet të fitojë zemra miqsh dhe t’i largohet armiqësisë e dhunës, duhet të urrejë gënjeshtrën, hipokrizinë e mashtrimin dhe të jetë fjalëdrejtë e punëmirë. Nëpërmjet lutjes myslimani edukon vetveten që t’i rrijë larg vetmisë, mërzisë dhe dembelizmit, sepse këto shpien pak e nga pak në ankth, pesimizëm, varfëri, padituri dhe kundërshtim e mohim ndaj Allahut. Nëpërmjet lutjes së përditshme myslimani vetëdijesohet dhe edukohet se jeta ndërtohet me punë të ndershme, me dituri, me marrëdhënie të mira në shoqëri dhe natyrë, me besim të stolisur me moral të bukur.
Lutja piketon synimet tona të ditës dhe të jetës: dituria, shëndeti, mirësia, qetësia, siguria dhe paqja. Lutja orienton planet dhe angazhimet tona për jetën personale, familjare e shoqërore. Lutja përvijon horizontin për ku duhet të rendim për të prekur suksesin. Lutja inkurajon më të dobishmen në punët tona.
Po, lutja është praktika profetike për edukimin me virtytet e larta. Myslimanët janë umeti i lutjeve të bukura dhe punëve të mira.
Blerim Lazimi
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.